Përfaqësuesit e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi morën pjesë në tryezën e rrumbullakët “Nga përjashtimi në pjesëmarrje: Të drejtat e pasagjerëve me aftësi të kufizuara në transport”, ku në fokus ishin problematikat që pengojnë aksesin dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në transportin publik.
Aktiviteti u organizua nga Fondacioni “Së Bashku”, në bashkëpunim me “Centre for Legal Empowerment” dhe me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur – Ballkani Perëndimor (OSF-WB), në kuadër të një projekti që synon rritjen e angazhimit të shoqërisë civile në politikat dhe projektet e transportit në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë diskutimeve u evidentuan mungesa e përshtatshmërisë së mjeteve të transportit publik, si dhe nevoja për rritjen e njohurive dhe trajnimin e ofruesve të shërbimit, në mënyrë që personave me aftësi të kufizuara t’u garantohet një shërbim i aksesueshëm dhe dinjitoz. Në tryezë u referuan gjithashtu raste dhe problematika të lidhura me diskriminimin gjatë përdorimit të transportit publik.
Të pranishmit vlerësuan rolin e rëndësishëm të KMD-së në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, përfshirë përmes vendimmarrjes së institucionit dhe evidentimit të nevojës për trajnimin e operatorëve të transportit.
Transporti i aksesueshëm është një element thelbësor për jetesën e pavarur, dinjitetin dhe pjesëmarrjen e barabartë në shoqëri. KMD mbështet nismat që kontribuojnë në heqjen e barrierave dhe garantimin e përfshirjes së çdo qytetari në mënyrë të barabartë.

