Lajme

KMD vijon “Udhëtimin në Shqipëri”, ndalesa e tretë në 29 shtator në Kukës

Pas përmbylljes së dy takimeve të para në Malësi të Madhe dhe Fushë-Arrëz, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vijon nismën “Udhëtimi në Shqipëri”, duke e çuar dialogun me qytetarët në Kukës.

Më 29 shtator 2026, në orën 12:00, KMD do të zhvillojë në Kukës takimin me temë “Përfshirja dhe aksesueshmëria për personat me aftësi të kufizuara”.

Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Genta Tafa (Bungo), së bashku me ekipin drejtues të institucionit, do të takohet drejtpërdrejt me qytetarë, përfaqësues të institucioneve vendore, organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve në situata vulnerabiliteti.

Takimi do të krijojë hapësirë për informim dhe diskutim mbi problematikat që lidhen me përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara, si dhe për të dëgjuar nga afër shqetësimet dhe përvojat e qytetarëve.

Pas Kukësit, “Udhëtimi në Shqipëri” do të vijojë me takime në Bulqizë, Klos, Librazhd, Mallakastër, Kolonjë, Përmet dhe Rrëshen, duke vijuar dialogun e drejtpërdrejtë të KMD-së me qytetarët dhe komunitetet lokale.