Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi filloi nga Malësia e Madhe nismën “Udhëtimi në Shqipëri”, një tur takimesh në terren që e çon institucionin në disa bashki të vendit, me synimin për të dëgjuar drejtpërdrejt qytetarët dhe për të evidentuar pengesat konkrete që ata hasin në ushtrimin e të drejtave dhe në aksesin në shërbimet publike.
Ndalesa e parë e nismës u zhvillua sot, më 23 shtator në Malësi të Madhe, ku pati një pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve të zonës, përfaqësuesve të institucioneve vendore, organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve në situata vulnerabiliteti. Takimi i sotëm u zhvillua në formën e një dialolgu të drejtpërdrejtë mbi problematikat që prekin çdo ditë komunitetin mbi aksesueshmërinë në shërbimet publike.
“Kemi zgjedhur të fillojmë këtë tur pikërisht me temën e barazisë në aksesin ndaj shërbimeve publike sepse besojmë se kjo është një nga fushat ku diskriminimi shpesh është më pak i dukshëm, por me pasoja shumë më të prekshme në jetën e njerëzve”, u shpreh Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Genta Tafa (Bungo).
Duke iu referuar specifikave të Malësisë së Madhe dhe zonave të tjera malore, znj. Tafa theksoi se “Malësia e Madhe, si shumë zona të tjera malore të vendit tonë, përballet me sfida specifike që, në mendimin tim, meritojnë vëmendje të veçantë kur flasim për barazinë në akses. Largësia gjeografike nga qendrat administrative, infrastuktura rrugore ndonjëherë e vështirë, kushtet e motit gjatë stinëve të caktuara, të gjitha këto krijojnë kushte të ndryshme aksesi krahasuar me zonat urbane”.
Më tej Komisionerja nënvijëzoi se “Kur shërbimet publike për shkak të kushteve gjeografike apo organizative, nuk arrijnë njësoj te të gjithë qytetarët, kjo mund të përbëjë diskriminim indirekt në kuptimin që ligji ia njeh këtij termi, edhe pse askush nuk e ka pasur si qëllim të diskriminojë askënd”.
Gjatë takimit, qytetarët e pranishëm, përfaqësuesit e shoqërisë civile që punojnë me komunitetin dhe përfaqësuesit vendorë sollën në vëmendje vështirësitë dhe problematikat e hasura në jetën e përditshme. Komisionerja dhe ekipi i KMD-së dëgjuan shqetësimet e ngritura dhe informuan të pranishmit mbi të drejtat që garanton legjislacioni për mbrojtjen nga diskriminimi, mekanizmat institucionalë në dispozicion të qytetarëve si dhe mënyrën e paraqitjes së një ankese pranë KMD-së.
Malësia e Madhe ishte vetëm ndalesa e parë e “Udhëtimit në Shqipëri”, iniciativë e cila mbështet edhe nga projekti PACEP II. Nisma do të vijojë më 24 shtator në Fushë-Arrëz dhe më pas në Kukës, Bulqizë, Klos, Librazhd, Mallakastër, Kolonjë dhe Përmet, për t’u përmbyllur më 2 dhjetor në Rrëshen, Mirditë.
Në çdo ndalesë, KMD do të vendosë në fokus çështje që lidhen drejtpërdrejt me barazinë dhe mbrojtjen nga diskriminimi, duke e zhvendosur dialogun nga zyrat e institucionit në komunitetet ku qytetarët jetojnë dhe përballen çdo ditë me problematikat konkrete.

