Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Korçë zhvilloi një takim informues me stafin e Drejtorisë së Shërbimit Social pranë Bashkisë Pogradec, me mbështetjen e Zyrës Rajonale të Avokatit të Popullit dhe Zyrës së Ndihmës Juridike Falas.
Në fokus të takimit ishte njohja dhe parandalimi i diskriminimit në fusha të rëndësishme si punësimi, arsimi, shërbimet publike dhe shëndetësia. Përfaqësuesja e KMD-së prezantoi ligjin “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, format e diskriminimit, mekanizmat e mbrojtjes dhe procedurën për paraqitjen e ankesës pranë KMD-së, një shërbim falas dhe i aksesueshëm për çdo person që pretendon se është diskriminuar.
Takimi u zhvillua në formën e një dialogu të hapur, ku u shkëmbyen informacione dhe përvoja mbi identifikimin dhe adresimin e situatave të diskriminimit. Pjesëmarrësit shprehën gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin, me vëmendje të veçantë ndaj grupeve në nevojë dhe personave me aftësi të kufizuara, në funksion të promovimit të barazisë, gjithëpërfshirjes dhe respektimit të të drejtave të çdo qytetari.

