Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nis më 23 dhe 24 shtator 2026 takimet e para të nismës “Udhëtimi në Shqipëri”, duke u ndalur në Malësi të Madhe dhe Fushë-Arrëz. Dy aktivitetet synojnë afrimin e institucionit me komunitetet lokale, informimin mbi mbrojtjen nga diskriminimi dhe krijimin e hapësirave për dialog të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Takimi i parë do të zhvillohet më 23 shtator 2026, në Malësi të Madhe, me temë “Barazia në aksesin në shërbimet publike”. Aktiviteti synon të nxisë diskutimin mbi rëndësinë e garantimit të aksesit të barabartë në shërbimet publike dhe të informojë qytetarët mbi mekanizmat institucionalë të mbrojtjes nga diskriminimi.
Takimi i dytë do të zhvillohet më 24 shtator 2026, në Fushë-Arrëz, me temë “Mbrojtja nga diskriminimi në komunitetet rurale”. Në fokus do të jenë sfidat që hasin komunitetet rurale dhe malore në ushtrimin e të drejtave dhe në aksesin në arsim, punësim dhe shërbime publike, si dhe mekanizmat e mbrojtjes dhe referimit të rasteve.
Përmes nismës “Udhëtimi në Shqipëri”, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi synon të jetë më pranë qytetarëve dhe komuniteteve, veçanërisht në zona ku aksesi në informacion dhe në mekanizmat institucionalë të mbrojtjes është më i kufizuar. Takimet do të krijojnë mundësi për informim, bashkëbisedim dhe diskutim të drejtpërdrejtë mbi problematikat që lidhen me diskriminimin, barazinë dhe gjithëpërfshirjen.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi fton qytetarët, përfaqësuesit e institucioneve vendore, organizatat e shoqërisë civile dhe aktorët lokalë të bëhen pjesë e takimeve dhe e bashkëbisedimit.
MALËSI E MADHE
Tema: “Barazia në aksesin në shërbimet publike”
Data: 23 shtator 2026
Ora: 12:00–14:00
Vendi: Salla e Këshillit Bashkiak, Malësi e Madhe
FUSHË-ARRËZ
Tema: “Mbrojtja nga diskriminimi në komunitetet rurale”
Data: 24 shtator 2026
Ora: 12:00–14:00
Vendi: Salla e Këshillit Bashkiak, Fushë-Arrëz

