Përfaqësuesi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi mori pjesë në aktivitetin përmbyllës të projektit “Mozaiku i Botës Sime”, i organizuar nga Qendra e Shërbimeve dhe Trajtimit Psikosocial (TISS), në të cilën u prezantuan punime të ndryshme artistike të realizuara nga të rinj me nevoja të veçanta.
Punimet e prezantuara në ekspozitë sollën perspektivën, kreativitetin dhe botën e pjesëmarrësve, duke përcjellë njëkohësisht një mesazh të rëndësishëm për gjithëpërfshirjen, pjesëmarrjen dhe krijimin e mundësive të barabarta në jetën sociale dhe kulturore.
Në kuadër të projektit “Mozaiku i Botës Sime”, u zhvilluan një sërë aktivitetesh me fëmijë dhe të rinj, ku arti dhe shprehja krijuese u përdorën si mjete për vetëshprehje, zhvillimin e aftësive dhe nxitjen e përfshirjes sociale.
Pjesëmarrja e KMD-së në këtë aktivitet thekson rëndësinë e promovimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse, ku diversiteti vlerësohet dhe ku çdo fëmijë dhe i ri ka mundësi të shprehë aftësitë, talentin dhe potencialin e tij, pa barriera dhe pa diskriminim.

