Aleanca Kundër Gjuhës së Urrejtjes, e përbërë nga Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive, me mbështetjen e Këshillit të Evropës, do të zgjerohet me organizata të reja.
Në mbledhjen e radhës së Aleancës u diskutuan zgjerimi i pjesëmarrjes, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe organizimi më i mirë i punës, me synimin për ta bërë veprimtarinë e saj më të koordinuar dhe më pranë sfidave që paraqet gjuha e urrejtjes në hapësirën publike dhe online.
Gjuha e urrejtjes prek veçanërisht fëmijët, komunitetet e pakicave dhe personat në situata vulnerabiliteti, duke cenuar dinjitetin, barazinë dhe përfshirjen e tyre në shoqëri.
Bashkëpunimi me Këshillin e Evropës e lidh punën e Aleancës me standardet evropiane për mbrojtjen nga gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi, si dhe kontribuon në forcimin e kapaciteteve institucionale për parandalimin dhe adresimin e këtyre fenomeneve.
Gjuha e urrejtjes nuk luftohet vetëm me reagime pas ngjarjes. Ajo kërkon edukim, ndërgjegjësim, monitorim të vazhdueshëm dhe angazhim të përbashkët nga institucionet, organizatat dhe aktorët që ndikojnë në jetën publike.
Aleanca do të vijojë me iniciativa konkrete dhe do të krijojë hapësira të reja bashkëpunimi për çdo aktor që kontribuon në respektimin e dinjitetit njerëzor, promovimin e dialogut dhe mbrojtjen nga diskriminimi.
