Lajme

Bashkëpunim me sektorin privat për promovimin e trajtimit të barabartë dhe mbrojtjen nga diskriminimi

Në kuadër të zgjerimit të fushatës informuese dhe ndërgjegjësuese të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ne sektorin publik dhe atë privat mbi zbatimin e parimit të barazisë si dhe mbrojtjen efektive nga diskriminimi, përfaqësuesit e Zyrës Rajonale të Fierit zhvilluan një takim me punonjësit e institucionit mikrofinanciar “Fed Invest”.

Gjatë takimit u prezantuan kuadri ligjor për mbrojtjen nga diskriminimi, roli dhe kompetencat e Komisionerit, të drejtat e punëmarrësve, detyrimet e punëdhënësve për garantimin e trajtimit të barabartë në marrëdhëniet e punës, si dhe mekanizmat institucionalë për paraqitjen dhe shqyrtimin e ankesave.

Takimi u zhvillua në një format interaktiv, duke nxitur diskutime mbi raste konkrete dhe duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me sektorin privat për krijimin e një mjedisi pune gjithëpërfshirës, të sigurt dhe pa diskriminim.