Lajme

Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi mori pjesë në takimin e Rrjetit të Organizatave të Tiranës me Avokatin e Popullit

📍 Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi mori pjesë në takimin e Rrjetit të Organizatave të Tiranës me Avokatin e Popullit, i zhvilluar më 3 korrik 2026, ku u diskutuan sfidat dhe prioritetet për garantimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
✅Gjatë takimit u theksua se përshtatshmëria nuk kufizohet vetëm në aksesin fizik përmes rampave, por përfshin edhe garantimin e aksesit në mallra dhe shërbime, në përputhje me ndryshimet e fundit ligjore.
✅Diskutimet u përqendruan gjithashtu në nevojën për krijimin e një Agjencie Kombëtare për Përshtatshmërinë, funksionalizimin dhe rritjen e transparencës së Fondit Social, si dhe mbështetjen financiare të organizatave që ofrojnë shërbime për personat me aftësi të kufizuara. Një tjetër çështje e ngritur ishte nevoja për lehtësira fiskale dhe përjashtimi nga taksat që rëndojnë ofruesit e këtyre shërbimeve.
🤝Në takim u vlerësua bashkëpunimi i frytshëm ndërmjet Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokatit të Popullit, duke nënvizuar se bashkërendimi i institucioneve të pavarura me organizatat e shoqërisë civile është thelbësor për adresimin efektiv të problematikave dhe promovimin e barazisë, aksesueshmërisë dhe përfshirjes për të gjithë.