Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh shqetësim të thellë për rastin e bërë publik në media dhe rrjete sociale, ku pamjet e publikuara tregojnë ushtrim dhune ndaj një të miture, si dhe filmimin dhe shpërndarjen e këtij akti në hapësirën publike online.
KMD dënon çdo formë dhune, poshtërimi, bullizmi, nxitjeje të urrejtjes apo sjelljeje denigruese ndaj fëmijëve dhe të rinjve. Asnjë konflikt, situatë personale apo marrëdhënie shoqërore nuk mund të justifikojë dhunën fizike, psikologjike apo ekspozimin publik të viktimës.
Në raste të tilla, është thelbësore që institucionet përgjegjëse të veprojnë me shpejtësi, profesionalizëm dhe në respekt të interesit më të lartë të fëmijës, duke garantuar mbrojtje, mbështetje psikologjike dhe trajtim të përshtatshëm për të gjithë të miturit e përfshirë.
Komisioneri bën thirrje që këto pamje të mos shpërndahen më tej, pasi ripublikimi i tyre rrezikon riviktimizimin e fëmijës dhe cenon dinjitetin e saj.
Dhuna nuk është zgjidhje. Edukimi, përgjegjësia, respekti dhe reagimi institucional janë rruga për të mbrojtur fëmijët dhe për të ndërtuar një shoqëri pa diskriminim, pa bullizëm dhe pa dhunë.
