Lajme

Zyra Rajonale Fier mori pjesë në aktivitetin me temë “Informimi dhe ndërgjegjësimi i komunitetit mbi të drejtat ligjore, aksesin në drejtësi dhe mbrojtjen nga diskriminimi”

Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Fier, mori pjesë në aktivitetin me temë “Informimi dhe ndërgjegjësimi i komunitetit mbi të drejtat ligjore, aksesin në drejtësi dhe mbrojtjen nga diskriminimi”, të zhvilluar në Bashkinë e Patosit, në kuadër të nismës “Bashkitë e Vogla”, organizuar nga Qëndra e Ndihmës Juridike Parësore Fier.

Gjatë aktivitetit, përfaqësuesi i Zyrës Rajonale Fier informoi qytetarët mbi kompetencat e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, kuadrin ligjor për mbrojtjen nga diskriminimi, si dhe proçedurat për paraqitjen e ankesave, duke theksuar se çdo qytetar mund t’i drejtohet institucionit pa kosto për mbrojtjen e të drejtave të tij.

Takimi u shndërrua në një hapësirë të vlefshme dialogu me qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve vendore, ku u evidentuan problematika konkrete që ndikojnë në ushtrimin e të drejtave, veçanërisht për personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre ligjorë.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vijon të forcojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët, me synim promovimin e barazisë, garantimin e mbrojtjes efektive nga diskriminimi dhe rritjen e aksesit të qytetarëve në të drejta dhe shërbime.