Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi znj. Genta Tafa (Bungo) mori pjesë në tryezën e konsultimit publik mbi draft-raportin e Kontrollit Post-Legjislativ për ligjin nr. 57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Takimi u zhvillua nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, në bashkëpunim me Fondacionin Westminster për Demokraci në Shqipëri.
Gjatë tryezës u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e draft-raportit dhe u diskutua mbi zbatimin dhe ndikimin e ligjit, veçanërisht për shtresat në nevojë. Në fokus të diskutimeve ishin nevoja për përcaktimin e minimumit jetik, reformimi i skemës së ndihmës ekonomike dhe forcimi i rolit të saj si një instrument që, përtej mbështetjes ekonomike, të ndihmojë në integrimin në tregun e punës.
Pjesëmarrja e Komisioneres në këtë konsultim vjen në kuadër të rolit institucional të KMD-së në mbrojtjen nga diskriminimi dhe promovimin e barazisë. Diskutimi dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe grupeve të interesit janë të rëndësishëm për të vlerësuar se si politikat dhe legjislacioni social zbatohen në praktikë dhe se si ato ndikojnë te personat dhe grupet në nevojë.

