Përfaqësues të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi morën pjesë, më 18 shtator 2026, në Forumin “Parandalimi i Korrupsionit Zgjedhor dhe Mbrojtja e të Drejtës së Votës për Personat me Aftësi të Kufizuara”, të zhvilluar në Tiranë.
Forumi solli në vëmendje barrierat që mund të cenojnë ushtrimin e lirë, të fshehtë dhe të barabartë të së drejtës së votës nga personat me aftësi të kufizuara, ndër to mungesën e aksesueshmërisë, varësinë nga persona të tretë për asistencë, cenimin e fshehtësisë së votës dhe vështirësitë në aksesimin e mekanizmave të raportimit dhe mbrojtjes.
Gjatë aktivitetit u prezantuan gjetje mbi natyrën dhe format e rreziqeve të korrupsionit zgjedhor për zgjedhësit me aftësi të kufizuara, si dhe rekomandime për përmirësimin e kuadrit zgjedhor dhe mekanizmave institucionalë. Diskutimet u fokusuan në masat për parandalimin, monitorimin dhe forcimin e llogaridhënies institucionale, me synim garantimin e integritetit të procesit zgjedhor dhe të drejtës së votës pa barriera dhe diskriminim.
Forumi u organizua në kuadër të projektit “Avokim për të luftuar korrupsionin që lidhet me aksesin zgjedhor për personat me aftësi të kufizuara, veçanërisht për të rinjtë dhe vajzat e gratë në Shqipëri”, zbatuar nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, në partneritet me Qendrën e Aleancës Gjinore për Zhvillim dhe Qendrën Rinore Vlorë.

