Lajme

Mbrojtja e viktimave të dhunës, KMD në Fier në tryezën e koordinimit ndërinstitucional

Mbrojtja e viktimave të dhunës kërkon koordinim të institucioneve dhe garantimin e të drejtave të tyre në çdo hallkë të referimit dhe trajtimit të rasteve. Në këtë kuadër, Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Fier u bë pjesë e takimit të organizuar nga Qendra Psiko-Sociale “Vatra”, më 22 shtator, me anëtarët e grupit teknik të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit (MKR) në Bashkinë Fier.

Në fokus të diskutimeve ishin zbatimi i Ligjit nr. 11/2026 “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”, sfidat e hasura në menaxhimin e rasteve dhe forcimi i qasjes me në qendër viktimën.

Përmes diskutimit të rasteve konkrete, institucionet pjesëmarrëse shkëmbyen eksperienca mbi problematikat e hasura në praktikë dhe rekomandimet për forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Zyra Rajonale e KMD Fier thekson rëndësinë e garantimit të barazisë, mosdiskriminimit dhe respektimit të të drejtave të viktimave, si elemente që duhet të jenë pjesë e procesit të referimit dhe trajtimit të çdo rasti dhune.