Nisma “Udhëtimi në Shqipëri”, përmbylli me sukses dhe pjesëmarrje të gjerë dy takimet e para të planifikuara në kuadër të turit kombëtar për të dëgjuar qytetarët. Pas Malësisë së Madhe, Komisionerja znj. Genta Tafa (Bungo) dhe përfaqësuesit e tjerë të institucionit vijuan sot takimin e dytë në Fushë- Arrëz, në ambientet e Shoqatës “Qendra Sociale në Ndihmë të Njerëzve në Nevojë”.
Me një pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve, institucioneve vendore dhe organizatave të shoqërisë civile, Komisionerja bisedoi nga afër me banorët e zonës për vështirësitë që ata përballen çdo ditë në lidhje me diskriminimin në këto zona të thella.
“Ka një ide të përhapur, ndonjëherë edhe pa u thënë me zë të lartë, sipas së cilës diskriminimi është kryesisht një “problem urban”, diçka që ndodh në qytete të mëdha, në kompani, në institucione të mëdha shtetërore. Kjo ide në përvojën tonë nuk qëndron. Disriminimi ndodh kudo ku ka njerëz dhe marrëdhënie shoqërore dhe zonat rurale nuk përbëjnë përjashtim”, tha Komisionerja znj. Genta Tafa (Bungo).
Në fjalën e saj në Fushë-Arrëz, Komisionerja u ndal te disa grupe të veçanta që shpesh përballen më vështirësi specifike në zonat rurale. “Gratë në zonat rurale shpesh përballen me barriera shtesë, qofshin këto në trashëgiminë e pronës, në pjesëmarrje në vendimmarrjen komunitare, apo në aksesin e barabartë në burime ekonomike si toka apo kredia. Këto nuk janë gjithmonë pasojë e ligjeve të padrejta, por shpesh e praktikave dhe traditive lokale që, në kohën tonë, bien ndesh me parimin e barazisë”, u shpreh Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Tafa.
Gjithashtu Komisionerja u ndal edhe te personat me aftësi të kufizuara të cilët në këto zona rurale shpesh përballen me izolim edhe më të theksuar për shkak të rrugëve, transportit, apo ndërtesave publike të cilat rrallë herë kanë përfshirë nevojat e tyre. Po ashtu ajo përmendi kategorinë e të rinjve në zonat rurale, veçanrësisht vajzat, të cilat ndeshen me presione dhe pritshmëri të ndryshme sociale që kufizojnë mundësitë e tyre për arsim.
“Komunitetet rome dhe egjiptiane, po ashtu shpesh ndeshen me forma diskriminimi që përsëriten brez pas brezi, dhe që në zonat rurale mund të jenë edhe më të rrënjosura, sepse ndryshimi social ndonjëherë vjen më ngadalë larg qendrave urbane.
Ndër të tjera Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi vendosi theksin edhe te kategoria e personave të moshuar të cilët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të popullsisë në këto zona rurale dhe që shpesh mbeten mbrapa kur për aksesin në shërbime kërkohen njohuri teknologjike.
Nisma “Udhëtimi në Shqipëri”, e cila mbështet edhe nga projekti PACEP II, e çoi për herë të parë institucionin e Komisionerit pranë qytetareve, gjë e cila u mirëprit nga banorët e këtyre zonave të thella me pjesëmarrje dhe përfshirjen e tyre në dialogimin e drejtpërdrejtë me ekipin e Komisionerit.
Në kuadër të informimit, përfaqësuesit e institucionit shpjeguan për qytetarët mundësitë dhe format e mbrojtjes që ofron ligji për trajtim dhe aksesueshmëri të barabartë si dhe shkëmbyen mendime dhe eksperienca mbi raste konkrete të hasura prej tyre.
Turi kombëtar “Udhëtimi në Shqipëri” do të vijojë misionin e tij me ndalesën e rradhës e cila do të zhvillohet në qytetin e Kukësit më datë 29 shtator. Në Kukës do të flasim për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar, për siguruar zbatimin në praktikë të ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi.

