Përfaqësuesja e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi mori pjesë në “Platformën për Demokraci dhe Paqe”, “Thu’Je 2026”, të organizuar nga Bashkia e Elbasanit dhe organizata “Peace Volunteering Network”, në datat 28–30 tetor në Elbasan.
Platforma bashkon përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, akademisë, medias, partnerëve ndërkombëtarë dhe të rinj, duke krijuar një hapësirë dialogu dhe bashkëpunimi për çështje që lidhen me demokracinë, qeverisjen e mirë, integrimin europian, pjesëmarrjen qytetare, përfshirjen e të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe ndërtimin e paqes.
Pjesëmarrja e KMD-së në këtë platformë vjen në kuadër të promovimit të parimeve të barazisë dhe mosdiskriminimit si elemente thelbësore të një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me shoqërinë civile për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndërgjegjësimin mbi të drejtën për trajtim të barabartë dhe nxitjen e pjesëmarrjes pa diskriminim në jetën publike.

