Lajme

Aksesi në shërbimet publike dhe pensionet, KMD dëgjon shqetësimet e të moshuarve në Kurbin

Vështirësitë në përdorimin e shërbimeve publike online, procedurat e pensioneve dhe aksesi në shërbimet shëndetësore e sociale ishin ndër shqetësimet e diskutuara nga të moshuarit gjatë një “Dite të Hapur”, të organizuar nga Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shkodër, në bashkëpunim me Zyrën e Ndihmës Juridike Falas në Kurbin në Qendrën Ditore për të Moshuarit në Kurbin.

Gjatë bashkëbisedimit, vëmendje e veçantë iu kushtua pengesave që hasin grupmosha e tretë në përdorimin e platformave dixhitale, marrjen e dokumenteve dhe kryerjen e aplikimeve elektronike, duke theksuar nevojën që dixhitalizimi i shërbimeve të mos kthehet në pengesë për ushtrimin e të drejtave të tyre.

Përfaqësuesit e Komisionerit informuan të moshuarit mbi të drejtën për trajtim të barabartë, mbrojtjen nga diskriminimi për shkak të moshës dhe mënyrat e paraqitjes së ankesave pranë institucionit. Takimi shërbeu gjithashtu për informimin mbi mundësitë e përfitimit të ndihmës juridike falas dhe rëndësinë e garantimit të shërbimeve të aksesueshme për të gjithë qytetarët, pavarësisht moshës.