Lajme

KMD në Konferencën Ndërkombëtare për forcimin e institucioneve të barazisë dhe mbrojtjes nga diskriminimi

Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, znj. Genta Tafa (Bungo), mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Sfidat dhe Perspektivat e Mbrojtjes nga Diskriminimi në Evropë”, që u zhvillua më 22–23 tetor, në Lubjanë, Slloveni, me rastin e 10-vjetorit të krijimit të institucionit slloven të barazisë.

Konferenca, e organizuar nga Avokati i Parimit të Barazisë i Sllovenisë, mblodhi përfaqësues të institucioneve evropiane dhe rajonale të barazisë, të Rrjetit Evropian të Organeve të Barazisë (EQUINET) dhe institucioneve të tjera, duke shërbyer si një platformë për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbrojtjen nga diskriminimi.

Në fokus të diskutimeve ishin forcimi i pavarësisë dhe efektivitetit të organeve të barazisë, zbatimi i direktivave të reja evropiane për standardet e këtyre institucioneve, si dhe garantimi i burimeve dhe kapaciteteve të nevojshme për përmbushjen e mandatit të tyre. U trajtuan gjithashtu mbrojtja nga diskriminimi për shkak të fesë ose bindjeve, adresimi i diskriminimit sistemik dhe mekanizmat për rritjen e efektivitetit të rekomandimeve dhe vendimeve institucionale.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua kalimit nga rekomandimet institucionale drejt rezultateve konkrete në mbrojtjen e të drejtave, përmes forcimit të bashkëpunimit me gjykatat, autoritetet publike dhe shoqërinë civile, si dhe ndjekjes së zbatimit të rekomandimeve dhe vlerësimit të ndikimit të tyre në praktikë.

Në kuadër të konferencës, përfaqësuesit e institucioneve të barazisë u pritën edhe nga Presidentja e Republikës së Sllovenisë, znj. Nataša Pirc Musar, e cila vlerësoi rolin e këtyre institucioneve si mbrojtës të rëndësishëm të demokracisë dhe garantimit të trajtimit të barabartë.

Pjesëmarrja në këtë konferencë konfirmon angazhimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për forcimin e kapaciteteve institucionale, përafrimin me standardet evropiane dhe rritjen e efektivitetit të mekanizmave të mbrojtjes nga diskriminimi, me synim që rekomandimet dhe vendimet institucionale të përkthehen në rezultate konkrete për qytetarët.