Në kuadër të 11 Tetorit, “Ditës Ndërkombëtare të Vajzave”, Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimit Social të Bashkisë Maliq, organizoi një aktivitet ndërgjegjësues me temë “Promovimi i barazisë gjinore dhe parandalimi i praktikave diskriminuese ndaj vajzave”.
Aktiviteti mblodhi të rinj nga qyteti i Korçës, të cilët u informuan mbi kuadrin ligjor për barazinë gjinore, mbrojtjen e të drejtave të vajzave dhe grave, si dhe parandalimin e diskriminimit për shkak të gjinisë.
Gjatë bashkëbisedimit, pjesëmarrësit ndanë mendime dhe përvoja nga përditshmëria, duke diskutuar mbi rëndësinë e thyerjes së stereotipave gjinorë dhe promovimit të mundësive të barabarta.
Takimi theksoi rolin e të rinjve në nxitjen e ndryshimeve pozitive në komunitet dhe ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse, ku respektohen të drejtat dhe dinjiteti i çdo vajze dhe gruaje.

