Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi është njohur me një postim të publikuar në rrjetin social “Facebook” të avokatit Kujtim Cakrani, person publik, në të cilin, duke iu drejtuar Kryeministrit, bën deklarata lidhur me përfshirjen në qeveri të personave që i përkasin pakicave kombëtare egjiptiane.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh shqetësim serioz për gjuhën e përdorur dhe mesazhin që përcjellin deklarata të tilla në hapësirën publike.
Përjashtimi apo vënia në dyshim e aftësisë së personave për të ushtruar funksione publike për shkak të përkatësisë së tyre etnike bie ndesh me parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit. Po kështu, përgjithësimi i një komuniteti të tërë si i përshtatshëm vetëm për profesione apo role të caktuara cenon dinjitetin e anëtarëve të tij dhe ushqen stereotipe e paragjykime që mund të çojnë në stigmatizim, përjashtim dhe diskriminim, sidomos kur përdoret nga persona publikë.
Çdo qytetar ka të drejtë të marrë pjesë në jetën publike, profesionale dhe politike, pa u paragjykuar apo kufizuar për shkak të përkatësisë etnike. Asnjë profesion nuk është përçmues dhe asnjë komunitet nuk mund të identifikohet apo kufizohet përmes një profesioni.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi i kërkon z. Kujtim Cakrani të distancohet nga kjo gjuhë, të kërkojë ndjesë publike ndaj komunitetit të prekur dhe të heqë nga faqja e tij përmbajtjen me karakter diskriminues.
Njëkohësisht, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi njofton se, në ushtrim të kompetencave të tij ligjore, ka nisur shqyrtimin e çështjes kryesisht (ex officio), sipas ligjit nr. 10 221, datë 4.2.2010, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, i ndryshuar. Komisioneri do të vlerësojë faktet dhe rrethanat e rastit në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të vendosë qëndrimin e tij administrativ pas përfundimit të procedurës.
Komisioneri u bën thirrje të gjithë personave dhe figurave publike të tregojnë përgjegjësi në komunikimin publik, të shmangin gjuhën stigmatizuese dhe diskriminuese ndaj çdo individi apo komuniteti dhe të kontribuojnë në një debat publik të bazuar në respektin për barazinë, diversitetin dhe dinjitetin njerëzor.

