Në kuadër të “Ditës Botërore kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore”, Zyra Rajonale e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Korçë mori pjesë në takimin koordinues ndërinstitucional me Seksionin e Antitrafikut pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.
Në takimin, ku morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe organizmave që kontribuojnë në parandalimin dhe adresimin e trafikimit të qenieve njerëzore, u diskutua forcimi i bashkëpunimit institucional, përmirësimi i mekanizmave të referimit dhe rritja e mbështetjes për viktimat e mundshme të trafikimit, me fokus të veçantë te fëmijët dhe grupet vulnerabël.
Përmes këtyre nismave, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vijon të kontribuojë në informim dhe ndërgjegjësim për mbrojtjen e të drejtave të personave në situata vulnerabiliteti, si dhe në promovimin e një qasjeje të koordinuar institucionale për parandalimin e formave të shfrytëzimit dhe cënimit të dinjitetit njerëzor.
