Lajme

Përfaqësuesja e KMD në Korçë merr pjesë në aktivitetin për promovimin e trashëgimisë kulturore të pakicave kombëtare

Përfaqësuesja e Zyrës Rajonale të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Korçë mori pjesë në aktivitetin përmbyllës të projektit “Krijimi i kostumeve të pakicave kombëtare maqedonase, rome, arumune dhe egjiptiane në Qarkun e Korçës”, organizuar nga Shoqata Maqedonase “Sonce”, me mbështetjen e Komitetit për Pakicat Kombëtare.

Gjatë aktivitetit u prezantuan katër kostume tradicionale të komuniteteve maqedonase, rome, arumune dhe egjiptiane, si dhe një broshurë informuese mbi trashëgiminë e tyre etnokulturore. Organizimi i këtij projekti synoi ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor të pakicave kombëtare, përcjelljen e traditave te brezat e rinj dhe forcimin e bashkëjetesës e mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve.

Pjesëmarrja e KMD-së në këtë aktivitet theksoi rëndësinë e respektimit të diversitetit kulturor, mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare dhe garantimit të trajtimit të barabartë. KMD vijon angazhimin për promovimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, ku identiteti dhe dinjiteti i çdo individi respektohen, pa dallim dhe diskriminim.