Përfaqësuesja e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi mori pjesë në takimin e parë të Grupit Ndërinstitucional të Punës për të Drejtat e Njeriut, të ngritur në zbatim të Urdhrit të Kryeministrit nr. 130, datë 16.07.2026, për hartimin e metodologjisë së grumbullimit të të dhënave për vlerësimin e nivelit të zbatimit të politikave, strategjive dhe legjislacionit për të drejtat e njeriut.
Gjatë takimit u diskutuan hapat strategjikë dhe koordinimi ndërinstitucional për hartimin e një metodologjie të unifikuar të mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave. Puna e grupit do të fokusohet në identifikimin e rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare për Shqipërinë, evidentimin e nevojave institucionale për mbledhjen e të dhënave, analizimin e praktikave të vendeve të Bashkimit Evropian dhe krijimin e një platforme të përbashkët metodologjike në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e KMD-së në këtë proces kontribuon në forcimin e koordinimit institucional, transparencës dhe llogaridhënies, si dhe në përmirësimin e mekanizmave për monitorimin e zbatimit të standardeve të të drejtave të njeriut në Shqipëri.

