Aktivitete Ndërgjegjësuese, Deklaratë pë shtyp, Events, Lajme

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda raportoi në Kuvend

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda paraqiti në Kuvend raportin e veprimtarisë vjetore për vitin 2024 të institucionit që ai drejton.

Sipas Gajdës, gjatë vitit 2024 pranë Drejtorisë të Pritjes së Ankesave janë regjistruar për t’u shqyrtuar 265 ankesa dhe bazuar në numrin total të tyre, rezulton se 66,4% e tyre i janë drejtuar Zyrës së KMD në Tiranë dhe janë regjistruar nga Drejtoria e Pritjes së Ankesave, ndërsa 33,6% e tyre kanë ardhur nga Zyrat Rajonale Korçë, Fier dhe Shkodër dhe janë regjistruar po nga kjo drejtori, në varësi të të cilës janë Zyrat Rajonale.

Gjithashtu, sipas Gajdës nga numri total i ankesave 265, 12% e tyre janë shtetas migrantë brenda vendit, ndërsa 0,8% janë shtetas të huaj.

“Çështjet e reja të regjistruara pranë KMD-së janë 268 çështje të regjistruara në vitin 2024. Çështjet e trajtuara janë gjithsej 380 çështje, nga këto, 268 çështje janë të regjistruara në vitin 2024 dhe 112 çështje janë të regjistruara nga viti 2023. Numri i rekomandimeve të Komisionerit për vitin 2024, është 294 vendime dhe katër rekomandime”, tha Gajda.

“Për sa i takon ndarjes sipas subjekteve për çështjet e trajtuara gjatë vitit 2024, rezulton se 144 ankesa janë të trajtuara për ankuese gra, 158 për ankues burra, 37 për ankesa nga OJF, 28 nga grup personash dhe 13 çështje ex-officio të trajtuara”, vijoi ai.

E plotë: 

I nderuar Kryetar i Kuvendit!

Të nderuar deputetë!

Në radhe të parë dua të përshëndes dhe të vlerësoj pozitivisht faktin që tashmë Kuvendi ka dhe një Komision për të Drejtat e njeriut. Mendoj se është i duhur dhe i rëndësishëm për një vëmendje më të madhe dhe më serioze nga Kuvendi për njohjen, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

Në lidhje me Raportin e institucionit të KMD dhe gjëndjes së diskriminimit në Shqipëri, do të parashtroj në mënyrë të përmbledhur disa nga aspektet, shqetësimet dhe sfidat kryesore.

  • Edhe në vitin 2024 konfirmohen si shkaqe diskriminuese më të pretenduar të njëjtat e viteve të mëparshme, të cilat tashmë cilësohen nga KMD dhe vetë shteti shqiptar si diskriminim i strukturuar dhe sistemik. Kështu PAK në gjithë shumëllojshmërinë e tyre rezultojnë strukturalisht dhe sistematikisht të diskrimuar, sidomos në lidhje me aksesin në shërbime, infrastrukturë, transport, etj.
  • Edhe personat që janë pjesë e komunitetit Rom dhe komunitetit Egjiptian rezultojnë sistematikisht dhe strukturalisht të diskriminuar sidomos në strehim (gupe familjesh që nuk kanë as kushtet minimale të jetesës në godina ish ushtarake apo ish ndërmarrjesh (Raporti ECRI 2020) dhe arsim lidhur me problematika të segregimit në shkolla për të cilat ka dhe një vendim GJEDNJ në vitin 2022).
  • Bindja politike mbetet një shkak shumë i pretenduar sidomos në lidhje me fushën e punësimit në administratën vendore, punonjës të administratës pushohen nga puna për shkak të bindjeve të tyre politike.
  • Gjinia vazhdon të krijojë situata diskriminuese sidomos kundrejtë grave dhe në lidhje me shtatzëninë dhe mëmësinë, sidomos në lidhje me këtë të fundit ka një pandjeshmëri nga ana punëdhësve.

Si emërues të përbashkët, shikohet që në pjesën më të madhe të rasteve diskriminuese gjendja ekonomike e ulët është faktor që përcakton, prandaj dhe shpeshherë diskriminimi është i shumëfishtë dhe ndërsektorial. Kështu dikush diskriminohet së është PAK dhe i pamundur ekonomikisht, se është grua dhe e varfër, se është Rom dhe i varfër,  etj.

Në lidhje me fushat e diskriminimit ka një përqindje shumë të lartë të cështjeve që lidhen me punësimin dhe diskriminimin në vendin e punës. Po ashtu një rritje të konsiderueshme kanë dhe fushat që merren me ofrimin e të mirave dhe shërbimeve të ndryshme.

Shqetësim të përhershëm në punën e institucionit që konfirmohet edhe në vitin 2024, përben edhe Gjuha e Urrejtjes e përdorur publikisht dhe në forma të ndryshme. Në lidhje me këtë vërehet, sidomos vitet e fundit që ajo në shumë raste është drejtuar kundrejt personave LGBTI, por janw shwnuar dhe raste me sfond fetar.

Në vitin 2024 ka pasur edhe shtim të ankesave që lidhen me fëmijët sidomos në të drejtën e tyre për arsim. Më specifikisht problematika e evidentuar lidhet me mos përfitmin e bursave nga fëmijët që vijne nga familje në nevojë (VKM 666/2019). Në këto raste kërkohen fonde të mjaftueshme dhe një bashkëpunim i ngushtë midis pushtetit qendror dhe pushtetit vendor.

Në lidhje me pushtetin gjyqsor, duhet vënë në evidencë që tashmë është krijuar një praktikë e konsoliduar për dhënien e dëmshpërblimeve për shkeljen e të drejtës për barazi dhe mosdikriminim. Mendimi ynë është se këto vendime do të vijnë në rritje në vitet në vazhdim prandaj është e rëndësishme që organet publike të bëjnë përpjekje serioze për parandalimin dhe adresimin e sjelljeve diskrimunuese.

Disa nga sfidat funksionale dhe institucionale për garantimin e barazisë dhe mosdiskriminimit që evidentohen, lidhen me:

  • Interpretimin dhe zbatimin e ngushtë dhe jo gjithëpërfshirës nga ana e administratës publike të Ligjeve me karakter social, ku si pasojë mbeten të përjashtuara nga përfitimi i shërbimeve të ndryshme, individë dhe grupe të tëra shoqërore.
  • Përgjigja e përhershme nga ana e institucioneve për mungesë fondesh në lidhje me realizimin për të drejtat sociale dhe ofrimin e shërbimeve përkatëse.
  • Mos zbatimi i vendimeve dhe rekomandimeve të KMD nga ana e institucioneve publike qendrore dhe vendore.
  • Mungesa e komunikimit dhe bashkëpunimit midis institucioneve për realizimin e të drejtave sidomos për grupet më të pamundura.
  • Pamjaftueshmëria e stafit të institucionit në mënyrë që të përballojë volumin e punës gjithmonë e në rritje në të gjitha dimensionet, si dhe për të garantuar cilësi dhe efektivitet për adresimin e shkeljes së parimit të barazisë dhe mos diskriminimit.

Në lidhje me këtë kërkohët nga Kuvendi një vëmendje më e madhe për punën e institucionit të KMD si dhe garanci më shumë për zbatimin dhe implementimin e vendimeve dhe rekomandimeve të institucionit.

Së fundmi, BE ka miratuar dy Direktiva që merren ekkluzivisht me garantimin e Standarteve të Organeve të Barazisë (1499/2024 dhe 15000/2024), sidomos të pavarësisë së tyre dhe efektivitetit. Do ta ftoja Kuvendin që të ndërmerrte nismwn dhe marrjen në konsideratë të adaptimit të këtyre direktivave në LMD sidomos lidhur me ato dispozita që ofrojnë një garanci më të madhe për pavarësinë e institucionit si të mjeteve, risorseve dhe burimeve njerëzore të mjaftueshme për të kryer funskionet e veta.

Në fund,

Disa fjalë mbi projekt ligjin për barazinë gjinore

Së pari, problemi i keq-informimit dhe dis-informimit ka krijuar një pakuptueshmëri nga shoqëria e cila me të drejtë kërkon të informohet dhe jo të krijohet konfuzion.

Së dyti, dua të merrem me disa nga parashikimet dhe konceptet e këtij projekt-ligji që janë përdorur shumë nëpër debate dhe kanë një rëndësi të vecantë për kuptimin tij.

  • Duhet thënë se ky P/ligj në tërësi, ka parashikime shumë të mira dhe që reflektojnë edhe shqetësimet më aktuale në garantimin e barazisë gjinore. Padiskutim që ka nevojë për sugjerime dhe ndryshime, por në tërësinë e tij është një P/ligj i bërë mirë dhe ja vlen të diskutohet. Si shembuj: dhuna dixhitale, njohja e punës së papaguar duke i dhënë dinjitet ligjor, gjuha me konotacion negativ gjinor e shprehur në cfarëdolloj forme, detyrimi ligjor për buxhetim gjinor e një sërë parishikimesh për arritjen e barazisë në fusha të rëndësishme e deri në fushën e mjedisit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore, etj.
  • Përsa i përket koncepteve të përkatësisë së shumëfishtë, duhet patur parasysh që cdo njeri ka përkatësi të shumëfishtë. Kështu një person mund të jetë burrë, besimtar mysliman, me aftësi të kufizuar dhe me shtetësi nigeriane e kështu dikush tjetër me përkatësi të tjera. Prandaj dikush mund të diskriminohet për shkak se ka dy ose me shumë karakteristika, pra është diskrimuar jo për faktin se është grua, por se është grua dhe rome, apo se është grua dhe me AP, etj. Dhe në këto raste flasim për diskriminim të shumëfishtë ose ndërsektorial, koncepte që i kemi të parashikuara aktualisht në ligje dhe hartim politikash.
  • Një gjë tjetër që është thënë shumë dhe shpreh shqetësim për këtë, është se ky P/ligj prek dhe dëmton fëmijët duke duke shkaktuar tek to pasoja të rënda. Dua tju siguroj që P/ligji merr përsipër nga njëra anë të sigurojë informim dhe edukim për fëmijët mbi të drejtat por sidomos mbi barazinë gjinore. Kemi besuar gjithmonë dhe është gjëja e duhur që fëmijët të edukohen, në mënyrë që të kuptojnë se duhet ti japin vlerë njeriut si qenie dhe jo ta pranojë apo ta përjashtojë atë në bazë të përkatësive që ka, qofshin këto racore, fetare, krahinore, por edhe gjinore. Kjo është një gjë që aktualisht ndodh në mënyrë zyrtare dhe de facto në të gjitha shkollat e Shqipërisë, edhe në pashkollor. P/ligj synon ta bëjë detyrim të përhershëm për këdo që do jetë përgjegjës, nga ana tjetër nuk merret me rregullimin e detajuar të programeve, testeve etj, këto do të ndodhin me akte nënligjore.
  • Në lidhje me konceptin e gjinisë, P/ligji nuk krijon një gjini apo më shumë, ai shpreh nevojën e përkufizimit dhe kuptimit gjini në një mënyrë që mund të përfshijë edhe persona të cilët kanë realitete objektive dhe subjektive të cilat nuk gjejnë veten të përfshira në një kuptim strikt të ndarjes gjinore burrë-grua. Pra ky P/ligj në funksion të parimit të barazisë, krijon kushtet për njohjen dhe rregullimin e mëtejshëm të rasteve përjashtimore, në mënyrë që të mund të gëzojnë të drejta të barabarta. Dua të sjell si shembull, dhe ka pasur dhe një miratim tani në Tetor, Rekomandimin nga Këshilli Europës (2025)7, mbi të drejta të barabarta për personat interseks. (Sqarohet cfare janë përsonat interseks; sic edhe per personat transeksualë).
  • Në lidhje me detyrimet ndërkombëtare sidomos të Këshillit të Europës, Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe parimeve dhe legjislacionit të BE, një legjislacion që nuk njeh dhe lejon minimalisht identitetin gjinor të personave dhe të drejtën e tyre për ta shprehur atë si dhe ta ndërrojnë në bazë rregullimesh specifike, si dhe mosnjohja e asnjëlloj forme me ligj të bashkëjetesës së personave të së njjejtës gjini, është një legjislacion diskriminues dhe në kundërshtim me këto standarte ndërkombëtare. Në këtë kuptim Shqipëria ka dy zgjedhje, të realizojë të drejtat e njeriut për të gjithë duke përmbushur dhe detyrimet ndërkombëtare, ose të dalë jashtë KEDNJ dhe të vazhdojë rrugën e saj në një raport tjetër në lidhje me të drejtat e njeriut.

Në përfundim, dua të përshendes ndërmarrjen e nismës nga ana e Kuvendit për riceljen e procedurës për plotësimin e vakancës së KMD. Procedura e mëparshme kishte humbur kuptim jo vetëm për tejzgjatjen e saj në mënyrë të pashpjegueshme, por edhe mungesën e theksuar të transparencës. Ricelja do ti japë mundësi në mënyrë gjithëpërfshirëse cdokujt që të tregojë interes për këtë institucion kaq të rëndësishëm, por edhe legjilsaturës së re që te ndjekë, të dëgjojë dhe të vlerësojë kandidaturat në mënyrë serioze dhe transparente.

 

Ju faleminderit!